KAÇAKËT

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

Mehmet Konjuhu, Azem Bejta, Feriz Salkaj etj. – Autonomitë e kaçakëve. – Tasa kapetani dhe Llazar Divlanaci

            Dy të parët janë “dorëzuar”, kurse i treti është kaçak aktiv. Mirëpo midis të gjithë atyre është një karakteristikë e përbashkët: janë autonomë – askush nuk i nguc.

Mehmet Konjuhu, gjakësor i madh, “njeri i egër” si thonë vushtrrijasit, ua kallte datën njerëzve rreth Çiçavicës dhe në Llap. Në fshatin e tij – Zagorë nuk ka guxuar të shkojë as pushteti. Nuk besoni? Nëse nuk besoni, pyetni vushtrrijasit dhe pyeteni edhe profesor Glisha Elezoviçin. I ati i tij ka pasur në atë fshat njëfarë pasurie, të cilën Mehmet Konjuhu e ka shpallur të veten. Dhe, ndonëse Mehmeti kishte qenë kaçak në mal, babai tashmë i ndjerë i Glisha Elezoviçit nuk guxonte të shkonte atje. Megjithatë një ditë, parvjet,  plaku kishte vendosur të shkonte. Dhe u nis me disa xhandarë1. Kur kaluan gjysmën e udhës xhandarët filluan të hamenden:

– Dikush prej nesh do të vritet. Mehmeti është atje dhe kush e di se çka do të ndodhë…

– E dini çka çuna, – iu tha plaku i Elezoviçve. Unë nuk dua askush të vritet… Hajt të kthehemi ne, më mirë…

Dhe u kthyen.

Por disi, para zgjedhjeve për deputetë ky bandit deshi të dorëzohet. Vuri kushte: mos ta prekë askush, t’i lihen armët, kurse ai nga ana e vet do të rrijë urtë. Dhe, kjo zgjidhje u pranua.

Si duket edhe atij i paska vënë pushteti disa kushte. Së paku kështu pohonte ai vet në agjitacion.

– Vëllezër, – thoshte ai, – mua më kanë pranuar me marrëveshje që të bëj agjitacion për akëcilën parti, po ju mos luani me kokë… Të gjithë të votoni për organizatën turke!

Dhe të gjithë votuan për Xhemijetin. Në saje të rrethanës se radikalët dhe demokratët kishin nga dy lista, qarku i Zveçanit “na bëri të lumtur” me katër deputetë të Xhemijetit. Në krye të tyre ishte Ferat Bej Draga, vëllai i Nexhipit, Ferati i dëgjuar, i cili për shkak të veprave të tij të mira nuk pati guxim të na priste në vitin 1918, po kishte ikur deri në Vjenë, madje. Pastaj ne e sollëm prej andej dhe e bëmë deputet2. Ç’është e vërteta s’e prumë ne, po Zemalska Banka. Ishin në pyetje huatë që ia kishte dhënë Nexhipit të ndjerë për ndërmarrjen e madhe për dru “Zveçan”. Tash banka është ortak me Feratin, puna ecën përpara, po dhe Ferati i kthen borxhet aq sa mundet.

Azem Bejta është po ashtu autonom. Ai pak a shumë tashmë është personalitet politik3. Emri i tij përmendet shpesh nëpër gazeta. Ka diçka romantike te ai: ka dalë kaçak me të shoqen. Pas tridhjetë, dyzet vjetësh ai do të jetë objekt falënderimi për ndonjë romancier. Në atë roman do të jetë interesante ajo kaptinë në të cilën do të përshkruhet dasma e Azem Bejtës në vitin 1921. Banditi  bën paqe me pushtetin shtetëror dhe martohet. Është zdirgjur krejt, gjëmojnë lodrat, kërcasin pushkët, kurse nëpunësit policorë vijnë të urojnë. Si në kinema.

Pastaj, e dini më. Keni lexuar. Naçellniku kërkonte falje me arsyetim se ishte kjo një nevojë shtetërore. Përkatësisht dobësi shtetërore. Nuk paska pasur as mjaft trupa, as xhandarmeri. Sot, ndërkaq, ka edhe pushkë edhe topa edhe shpata edhe mitralozë, po prapëseprapë… Po prapëseprapë para ndonjë dite ju keni pasur rastin të lexoni kumtesën zyrtare: “Naçellnikut të rrethit iu dorëzua bashkë me të shoqen banditi i njohur Azem Bejta, pas të cilit ishte shpallur urdhër kapjeje gjallë ose vdekur… Banditin e lidhën menjëherë dhe e çuan në burg me përcjellje policore”.

Këtë fjali të fundit e ka shtuar njëfarë sekretari i ministrisë duke dashur ta theksojë naçallnikun fatlumë të rrethit, të cilin do ta stolisin me klasa dhe me dekorata. Mirëpo e gjithë kjo punë ishte larg të lidhurit dhe burgut. Azemi “ishte dorëzuar” kështu. I kishte çuar lajm naçallnikut të rrethit se kishte ardhur me të shoqen dhe me tridhjetë njerëz të armatosur në mal përmbi Galicë, fshati i tij i lindjes, lutet që pushteti ta lërë rehat, kurse ai do të jetë i qetë dhe kurrfarë të keqeje nuk do të bëjë. Naçallniku i rrethit tërë gëzim e çon depeshen. Kështu sipas kompetencave të veta – vjen edhe z. Zhika Llaziçi2 në Mitrovicë – përkatësisht në manastirin e Deviçit.

– Ku e keni Azem Bejtën?

– Ja ku është në mal.

– Po ju thatë se është dorëzuar?

– Po, është dorëzuar. Mirëpo nuk dëshiron të vijë këtu dhe t’i dorëzojë armët3.

– Aha… ashtu, a?

Pastaj u bë “konferencë”. Ç’është biseduar brenda, natyrisht, nuk e dimë, mirëpo gjykuar sipas asaj se Azemin s’e nguc kush, mund të thuhet se është kështu. Banditi të mbetet në mal derisa të bëhen hetimet. Ata me siguri do të vijnë në përfundim se Azemi askë s’e ka vrarë, personalisht, prandaj do ta lirojnë dhe do ta lënë të jetojë rehat i armatosur në Galicë ose në Klinë. Në zgjedhjet e ardhme pa dyshim do të jetë edhe kandidat për deputet. Vetëm unë do të kisha dashur atëherë të shoh kush do t’i bëhej kundërkandidat, e të vijë në Drenicë për agjitacion.

Me siguri me këto kushte do të dorëzohej edhe Todor Aleksandrovi.

Sa i përket Feriz Salkajt, ai ka dalë kaçak në ato male midis Kolashinit, Rozhajës dhe Tregut të Ri. Aty janë male të thella, të cilat i eksploaton shoqata “Zveçan”. Këtu ndeshen shumë qarqe dhe kompetenca të ndryshme policore e malore. Si duket secili nga këto institucione, ndaj Ferizit e ka atë qëndrimin: noli me tangere. Dhe ai qetë-qetë i sundon malet e Rashkës sonë të moçme4. Se stacioni i xhandarmerisë në Mojstir vlen aq në gjithë këtë hapësirë sa mund të thuash se nuk ekziston fare. Pastaj, ai edhe nuk është aq militant. Kur Ferizi e vrau Tolen nga Mojstiri, xhandarët erdhën dhe e morën. E shiheshin gjurmët kah kishin shkuar kaçakët. Po kush do të mundohet pas tyre nëpër ato male. Pastaj ishin njëzet e pesë veta. Kurse xhandarë kishte tetë a nëntë.

Feriz Salkaj nuk ka kushte “për dorëzim”. Se këdo që ka zënë e ka plaçkitur dhe e ka vrarë. Po megjithatë është autonom. Dihen jatakët e tij, dihet ku ka bujtur, po asgjë. Vjen në vendin e krimit të bërë shkruesi policor nga Tutini, e bën inspektimin dhe shkon. Serbit të vrarë Zoti ia faltë kusuret. Po çka do të kishte mundur t’i ndihmonte edhe ai?

Ka kaçakë, të cilët i sulmojnë edhe myslimanët. Vërtetë kjo ndodh rrallë dhe shkak i sulmit është hakmarrja. Ferizi nuk bën pjesë në këtë lloj njerëzish. Ai i ka merak vetëm serbët dhe vetëm ata i plaçkit dhe i vret. Kur i kishte sulmuar punëtorët në Slomna Gorë për shkak se drejtoria e shoqatës “Zveçan”nuk ia paska çuar shantazhin prej pesëdhjetë dinarësh, i kishte plaçkitur vetëm të krishterët. Myslimanët nuk i ka ngucur.

Ferizin do ta kishin qetësuar shpejt serbët e Kollashinit. Vetëm t’u jepen pushkë dhe t’u jepet vetëm një shenjë e vogël5. Mirëpo sot njeriu ynë e ka shumë më vështirë të marrë leje për mbajtje arme se sa që e ka xhemijetliu të marrë tapi për njëqind hektarë tokë. Ku i përmenda tapitë, atëherë t’ju them se ato i sjellin me thasë prej Stambolli. I shkruajnë me tush se ai zbehet, dhe ka pamjen e dorëshkrimit të moçëm6. Kurse doktor Rajsin askush s’e pyet për asgjë. Dhe kështu pushteti ynë me vetëdije e bën me mall legal Turqinë në luginën e Vardarit.

E, po ata janë në qeveri. Dhe jo vetëm kjo, po disi janë edhe në modë. Ta kishit para vetëm në koncertin e “Obiliçit” si vraponin t’i gjenin një karrige Fuad Beut. Desh u mbytën njerëzit7. Gjatë asaj kohe kaçakët vrasin serbë, i vrasin si qenë8. Dje pesë nga Siriniçi, pardje – ata nga Shtimja, tjetërpardje – ata në Prishtinë. Me radhë, me radhë. Gjatë kësaj kohe Milkoja i shurdhër, shkrues i policisë e rrah me shuplaka një aktivist të orjunashëve pas rrahjes në tubimin e sërnistëve. Kurse këtë e shikonin magjupët turq, të cilët në tollovi hidhnin me karrige në kokat e orjunashëve dhe të sërnistëve, sepse të gjithë ishin gjaurë. Gjatë kësaj kohe një person i lartë i çon raport ministrit se si i poshtënënshkruari është një tip mjaft i rrezikshëm, se i mbron maqedonasit, e i sulmon turqit, e kështu, thotë, nuk bën politikë në harmoni me interesat e shtetit. Kurse ai bir nëne e bën në harmoni se i konsideron turqit sllavë. Gjatë kësaj kohe Llazar Divlanaci kalon pranë Tasës, kapitenit të inxhinierisë, i cili me njëzet ushtarë e bën hekurudhën. Llazari u prin tridhjetë komitëve dhe e përshëndet Tasën nga balli i formacionit:

– Zoti qoftë me ju!

– Zoti të ndihmoftë!

– Çudi si nuk gjuajtët, – e pyesin kapiten Tasën në bodrumin e Kostë Stafanoviçit.

– Po si të gjuaj, ju lutem? Unë s’kam urdhër…

– Jo. Ne partinë e kemi humbur. Tash kështu mund të bëjmë muhabet nëpër gazeta.

S’ka ilaç! S’ka ilaç[1]!

_____________________________________________________________________________________________________

1Propaganda serbe nuk ka ndryshuar për asnjë milimetër që nga themelimi i shtetit serb në Ballkan, në shek. XIX sa i përket presionit përmes uzurpimeve të pasurive të patundshme të shqiptarëve. Serbët vazhdimisht uzurpo tokën e shqiptarëve, shqiptarët kthehu e bleje, blej atëherë tokën e vet, bleje tash, vazhdimisht, vazhdimisht… E po kjo është njëra nga pikat e programit  nacionalshovenist serb për pastrimin etnik të viseve të banuara me shqiptarë…
2 Njolla e armikut të shtetit iu vihet intelektualëve shqiptarë edhe sot në trojet e të ashtuquajturës Jugosllavi, në Serbi, në Maqedoni e gjetiu. Ata të cilët marrin guximin t’i kundërvihen terrorit shtetëror menjëherë cilësohen si banditë, terroristë, kaçakë e të tjerë. Rasti më i freskët është ky i ngjarjeve të fundit në Maqedoni kur nuk mbet thuajse njeri nga radhët e shqiptarëve pa u etiketuar, pa akuzuar dhe pa u vënë në ndonjë listë të zezë. Shumë vetë u likuiduan përmes atentateve të organizuara nga organet e pushtetit. Dhe e gjithë kjo ndodh para syve të botës demokratike.
3 Njëra ndër metodat e njohurantë propagandës serbe (e në këtë kuadër) edhe të asaj maqedonase) është nënçmimi i personaliteteve shqiptare
2Autorit asnjëherë nuk i shkon mendja t’u drejtohet shqiptarëve me zotëri. Nëpunësve mediokëpr serbë gjithmonë
3 Konstruksion i Jeliçit.
4 Nuk ka hapësirë që s’u takon serbëve
5Dajte nam oruzhje, dajte nam oruzhje! Gjithmonë, pra edhe sot, vetëm kërkohen armë për t’i vrarë shqiptarët
6 Qëllimi është shqiptarët të nxihen para botës si falsifikatorë
7 Domethënë personaliteteve shqiptare nuk duhet t’u bëhet nder e respekt.
8 E njëjta këngë
[1]A ka ndryshuar diçka nga ajo kohë? Lexuesi le ta vlerësojë këtë punë.

LEXO PJESËN PARAPRAKE: QYQJA NËNA, E MJERA, O BALI!

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme