Në shekullin 21 – pa ujë të pijshëm

Komuna e Likovës e furnizon tërë Kumanovën me ujë ndërsa më shumë se 13 fshatra në këtë komunë nuk kanë rrjet ujësjellësi, nuk kanë as ujë për pije.

Portalb i pyeti partitë e bllokut politik shqiptar për atë se cilat janë projektet kyçe dhe strategjike që janë realizuar në komunat me popullatë dominuese shqiptare, e që janë zbatuar nga ana e dyshes qeveritare Gruevski – Ahmeti.

Nga partia e Osmanit konsiderojnë se bëhet fjalë për projekte me vlera simbolike. “Sipas analizave tona përveç disa sallave sportive dhe rikonstruimit të disa shkollave apo pjesërisht të ndonjë rrjeti kanalizues ose rrugë, janë investime të cilat për tërë mandatin e Qeverisë së kaluar dhe tanishme nuk tejkalon disa miliona euro.  Kundrejt investime minore, janë investuar disa dhjetra milionë euro në komuna me popullatë dominuese maqedonase, dhe qindra milionë euro vetëm për përmendore dhe godina administrative në Shkup”, thotë Artan Dika nga RDK.
Opozitarët e partisë së Thaçit mbesin në qëndrimin se bëhet fjalë vetëm për projekte që figurojnë në letër, por jo edhe në realitet.

“Nëse i dëgjoni deklaratat e liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe ministrave të tij fitohet përshtypja se jetojmë në botëra të ndryshme. Bëhet fjalë për projekte të cilat janë lënë në letër, që në realitet nuk ka investime në to. Në të shumtën e rasteve projektet planifikohen me buxhetin, e më pas shkurtohen me rebalanc. Shembull për këtë është rruga Shkup- Haraçinë-Likovë”, thekson Zijadin Sela nga PDSH.

Portalb kërkoi qëndrim edhe nga BDI-ja qeveritare, gjegjësisht nga Ministria e Ekonomisë. S’ka përgjigje të pyetjes: A ka diskriminim gjatë ndarjes së parave buxhetore?, Cilat janë projektet kyçe të realizuara në komunat me popullatë dominuese shqiptare? dhe Si vlerësohet ndërtimi i sheshit Skënderbe?. Partia dhe Ministria e Ekonomisë zgjodhën – heshtjen.

Ekonomistët nga ana tjetër janë të qartë se investimi proporcional është kusht për zhvillim të barabartë ekonomik që do të sjellë punësime ndërsa me këtë edhe standard më të mirë jetësor të qytetarëve, pa dallim cilës përkatësi etnike dhe nacionale i përkasin. Veçmas prioritare, sipas opinionit të ekspertëve janë investimet në infrastrukturë, energjetikë dhe gazifikimi. Pikërisht në konceptin e gazifikimit, Dika sheh plan të pabarabartë investues.

“Projekti për gazifikim nuk është patjetër të jetë prioritet por, për fat të keq në fazat e para, rrjeti gazifikues është i paraparë të kalojë nëpër Maqedoninë jugore dhe qendrore, e të mos e përfshijë edhe Maqedoninë Perëndimore”, thekson Dika.

Nga PDSH-ja konsiderojnë se edhe në shekullin 21, ende kërkohen zgjidhje për kushtet elementare jetësore kundrejt shpenzimit të parave buxhetore për projekte joproduktive.

“Komuna e Likovës e furnizon tërë Kumanovën me ujë ndërsa më shumë se 13 fshatra në këtë komunë nuk kanë rrjet ujësjellësi, nuk kanë as ujë për pije. I ngjashëm është rasti edhe me komunën e Sarajit, prej ku nga burimet e Rashçës furnizohet tërë Shkupi me ujë të pijshëm ndërsa shumë fshatra që shtrihen në komunën, s’kanë ujë për pije”, thekson Sela nga PDSH. Sipas tij për momentin po zhvillohet politikë tërësisht e gabueshme në segmentin e turizmit, në vend se ta zhvillojë turzmin në Shkup, investimet duhet t’i orientojë drejt Ohrit, Strugës, resnjës, Dojranit”, bën një përmbledhje Sela.

Në prag të zgjedhjeve lokale, mbetet të shihet nëse harta kyçe para elektoratit do të jenë problemet ekonomike në pako me zgjidhjet për to, apo sërish do të jetë vokabulari nacionalist, i cili, përveç ditës së zgjedhjeve, nuk mund të ndryshojë edhe përditshmërinë e qytetarëve në 364 ditët e vitit.

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme